Manipulimet e Edi Ramës në kërkim të mbështetjes për “Ballkanin e Hapur”

Hienat 1 | Lexotani

Minishengeni Ballkanik është shpërfillur nga Bashkimi Europian që kur u ngjiz në Novisad, në Serbi dhe tani që emrin e ka “Ballkani i Hapur” nuk ka ndryshuar asgjë. Me gjithë performancën e Vuçiçit, Ramës dhe Zaevit, që kanë lënë takime treshe sa në Novisad në Ohër, nga atje në Tiranë e më pas në Shkup, duke i bërë marketing aleancës dhe për ta imponuar atë si një realitet i ri në Ballkan, ende askush në BE nuk e sheh askund aleancën e tyre.

Shpërfillja e Bashkimit Europian duket se ka krijuar frustrim në veçanti tek Edi Rama, përderisa këtë të martë ai u detyrua të bëjë një manipulim të pastër me deklaratën e një zëdhënësi të qeverisë gjermane për Gazetën Express.

“Çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm” me këtë fjali nis përgjigjia e zëdhënësit gjerman, që është pyetur për iniciativën “Ballkani i Hapur” duke vazhduar. “Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”

Zëdhënësi i qeverisë gjermane nxit nisma të tjera që janë nën ombrellën e Procesit të Berlinit, për të cilat është rënë dakort nga 6 shtete te Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm nga 3 prej tyre, sic është “Ballkani i Hapur” i Vuçiçit, Ramës dhe Zaevit.

“Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit më 5 korrik. Detyra urgjente tani është të finalizohen negociatat e katër marrëveshjeve për lirinë e udhëtimit me kartat e identitetit, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohjen e kualifikimeve akademike e profesionale. Siç nënvizoi kancelarja gjermane, Merkel, gjatë konferencës së shtypit pas Samitit të Procesit të Berlinit më 5 korrik, përpjekjet duhet të ridyzohen për ta arritur këtë hap të rëndësishëm përpara deri në samitin BE – Ballkan Perëndimor më 6 tetor”, ka shtuar zëdhënësi, në pyetjen se si qeveria gjermane e sheh iniciativën e “Open Balkan” dhe nëse shtetet tjera duhet t’i bashkohen një nisme të tillë.

Kjo i ka mjaftuar edhe Edi Ramës për të bërë një status në Twitter ku ironizon, shigjeton dhe këmbëngul të vazhdojë përpara pavarësisht se çfarë thonë kritikët e Ballkanit të Hapur.

“ÇUDI”! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor!

Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes!” shkruajti kryeministri i Shqipërisë në Twitter, sikur të ishte çliruar nga një frustrim që e ka mbajtur prej kohësh nën presion.

Por ai ishte reagimi i kryeministrit të Shqipërisë një manipulim i qëndrimit të qeverisë gjermane?

Nismat e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor janë disa, por si Gjermania, ashtu edhe Bashkimi Europian nuk e kanë përmendur asnjëherë termin “Minishengeni Ballkanik” apo “Ballkani i Hapur”. Nuk gjen në asnjë intervistë, asnjë prononcim apo asnjë qëndrim të Bashkimit Europian asgjë në lidhje me këtë emërtim.

Kështu ka ndodhur edhe në prononcimin e zëdhënësit të qeverisë gjermane. Nryshe nga çfarë dëshiron Rama, ai nuk përmendur në asnjë rresht emërtimin “Ballkan i Hapur“, megjithëse është pyetur specifikisht për këtë nismë.

Përveç kësaj, siç zëdhënësi gjerman përmend një handikap të madh që ka “Ballkani i Hapur”. Kjo nismë nuk është gjithëpërfshirëse. Aty janë vetëm 3 nga 6 vendet që përfshin Procesi i Berlinit i iniciuar nga Merkel.

Prandaj qeveria gjermane i mbetet idesë së krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal. Ky plan veprimi është hartuar me kërkesë të kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nën kontekstin e Procesit të Berlinit dhe e ka zanafillën në Samitin e Triestes, që në vitin 2017.

Plani bazohet në rregullat dhe parimet e CEFTA dhe BE-së, të reflektuara dhe në Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit dhe mbështet katër shtylla kryesore të Zonës Rajonale Ekonomike, 1) tregtia, 2) investimet, 3) lëvizshmëria dhe 4) integrimi.

Diferencat mes Tregut të Përbashkët Rajonal për 6 vendet të inicuar nga Gjermania dhe “Ballkanit të Hapur” të inicuar nga Vuçiçi, Rama dhe Zaevi i shpjegoi pak ditë më parë, një nga ekspertët më të mirë gjermanë dhe europianë për çështjet e Ballkanit, Profesori Franz-Lothar Altmann. Në intervistën për gazetën serbe DANAS në fillim të këtij muaji, Altmann analizoi samitin e Shkupit për nismën e Mini Shengenit.

Altmann tha se Mini Shengeni (Ballkani i Hapur) nuk ka lidhje me ‘Procesin e Berlinit’ dhe përpjekjet politike të rajonit duhet të ishin përqëndruar pikërisht te Tregu Rajonal i Procesit të Berlinit:

“Përse në vend të Mini Shengenit të mos punohet për Tregun e Përbashkët Rajonal nën ombrellën e Procesit të Berlinit, gjë për të cilën është arritur të bihet dakord në vitin 2020? Tregu i Përbashkët Rajonal nënkupton realizimin e qëllimeve të njejta si edhe mini Shengeni, por në të janë të përfshirë edhe shtete anëtare të BE, gjë që do të sillte vendosjen e një zone të gjërë ekonomike mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, me lidhje ekonomike të ngjashme me ato që ka BE me Islandën dhe Norvegjinë.

Pra, përse bëhen këto përpjekje për ‘të shpikur një armë të re për bashkëpunimin’ në vend që të intensifikohen thirrjet drejtuar Bashkimit Europian për t’i ofruar mbështetje këtij rajoni dhe përse të mos shfrytëzohet në mënyrë më të vlefshme Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal (RCC)”, – këshilloi ai.

Altman komentoi asokohe edhe ndryshimin e emrit nga Minishengen në Ballkan i Hapur.

“Ndoshta Vuçiçi nëpërmjet këtij emri të ri, ose më mirë të themi etiketimi, përpiqet ta kalojë këtë inisiativë në terren ekonomik, por mendoj se kjo nuk do të ketë dobi. Vuçiçi, Rama dhe Zaevi kanë mbajtur deri tani tetë takime dhe nuk ka ndodhur asgjë me rëndësi’, – tha Altmann për DANAS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *