“Lirikë” – poezi nga Preç Zogaj

Prec Zogaj | Lexotani

Lirikë

Këtu ku jam s’më rrihet pa të parë,
atje ku je s’vij dot se më sheh ti.
Dhe sosen netët, sosen sa ngadalë.
Dhe fluturojnë mëngjeset si veri.

Më dhe dikur shpirt e shpirt të dhashë,
dhe qysh atëherë s’po ngryset ajo ditë,
padita dhe padite, the dhe thashë,
fitova sytë e tu, humba të mitë.

Dhe duart më braktisën. «S’jemi të tuat”!
Asaj i përkasim!» thirrën duart.
«Asaj i bindemi!» thirrën mendtë.
Mbeta kalli, krejt i yti, krejt.

Ne bëmë dhe braktisëm një çudi.
Tani në fusha bares zemërvrarë.
Atje ku je s’vij dot se më sheh ti,
këtu ku jam s’më rrihet pa të parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top