Kuriozitet : Në Tiranë jetohet si në Pragë, kostoja e jetesës sa 58% e asaj në New York. Veriu më i varfëri

Rich And Poor Scaled | Lexotani

Tirana ka koston më të lartë të jetesës në vendin tonë, 18% më e lartë se mesatarja kombëtare. Sipas Numbeo, kosto e jetesës në Tiranë është sa 58% e mesatares së New York-ut dhe shumë afër Pragës.

Nga raporti i fundit i Institutit të Statistikave në vend, qyteti i Dibrës dhe i Kukësit rezultonin si më të varfrat për vitin 2019, me rënien më të madhe të PBB-së në raport vjetor dhe të PBB-së për frymë. Pa marrë parasysh pandeminë dhe zinxhirin e dëmeve që solli në ekonomi, qytetet e Shqipërisë kanë patur gjithmonë një pabarazi zhvillimi nga veriu në jug e në qendër.

Eurostat në një analizë për të ardhurat për frymë, renditi zonën e veriut si më të varfrën ku matësi vlerësohej në 3.600 euro, nga 4.500 euro që është mesatarja kombëtare e Shqipërisë, duke u renditur edhe si shteti me më pak të ardhura për frymë. Mesatarja e BE-së për këtë tregues është 31.000 euro.

Anketa e Buxhetit të Familjes, matës për kushtet e jetesës në vend nga Instat, tregon se zona qendrore dhe jugore e Shqipërisë ka më shumë stabilitet financiar. Një njësi ekonomike e familjes që jeton në Tiranë harxhon për konsum mesatarisht 98.402 lekë në muaj. Ndjekur nga Korça me 82.224 lekë dhe Fieri me 79.620 lekë në muaj. Qarku me më pak shpenzime për konsum mujor është Dibra me 67.805 lekë në muaj. 45% e të ardhurave të njësive ekonomike të familjeve shqiptare shkojnë për konsum ushqimesh dhe pijesh jo-alkoolike.

Paga mesatare bruto e një qytetari shqiptar që punon në Tiranë, vlerësohet në 57.533 lekë, më e larta në Shqipëri. Pagën bruto mesatare më të ulët e ka qyteti i Shkodrës, 39.427 lekë në muaj. Veriu raportohet edhe si rajoni me numrin më të lartë të qytetarëve që marrin ndihmë ekonomike. Në qytetin e Lezhës, 8.2% për 10.000 banorë marrin ndihmë ekonomike, niveli më i lartë në vendin tonë. Nivelin më të ulët e mban qyteti i Durrësit dhe Vlorës, me 3.6% për 10.000 banorë.

Numri më i lartë i të papunësuarve në raport me fuqinë punëtore, regjistrohet në qytetin e Vlorës me 21.9%. Me nivelin më të ulët të papunësisë raportohet Dibra dhe Korça me 5.9%. Lidhur me migracionin e brendshëm të qytetarëve shqiptarë, qytetet e rajonit verior kanë numrit më të madh, ku kryeson Dibra me -13.6 për mijë banorë.

Numrin më të ulët e ka kryeqyteti, me 8.1% në mijë banorë. Mbi 50% e njësive ekonomike familjare në qytetet e Shqipërisë, jetojnë me të ardhurat nga puna apo vetëpunësimi. Tirana, Fieri dhe Berati paraqiten në nivele më të larta, ku mbi 60% e familjeve jetojnë nga të ardhurat e punës.

Qyteti i Kukësit është qyteti i cili “mbahet” nga ndihmat ekonomike, me pothuajse 50% të familjeve. Në sektorin e bujqësisë, qyteti që merr fitimet më të mëdha është Fieri. Aty ku është origjina e më shumë se 34% e prodhimeve bujqësore në vendin tonë për një vit. Gjithashtu, Fieri ka sipërfaqen më të madhe të mbjellë me kultura bujqësore, 879.000 ha. Kukësi është qyteti i Shqipërisë me më pak sipërfaqe bujqësore në shfrytëzim, vetëm 117.000 ha.

Për vitin 2019 në Shqipëri numëroheshin 162.342 ndërmarrje aktive ekonomike, 41.3% e të cilave ndodhej në rajonin qendror, Tiranë-Elbasan. Rajon që po ashtu ka 54.9% të të punësuarve në total. Në sektorin turistik, diferenca veri-jug është më e vogël, por përsëri veriu mbetet pas me afërsisht 6 mijë turistë më pak.

Në vitin 2019, sipas Instat numëroheshin 659 mijë qytetarë nga Shqipëria që jetonin nën kufirin minimal të varfërisë, vlerësuar në 170.785 lekë. Për vitin 2019, më të rrezikuarit për t’u prekur nga varfëria ishin të rinjtë. Nga një parashikim i Numbeo për vitin 2021, kosto e jetesës në vend për këtë vit do të rritet me 3.8% nga viti i shkuar. Indeksi i çmimeve përgjatë 2020 në Shqipëri ishte 36.9% dhe në vitin 2021 parashikohet të jetë 40.5%.

Indeksi i Kostos së Jetesës së matur është një tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, përfshirë ushqimet, restorantet, transportin dhe shërbimet publike. Nga një anketë e Bankës së Shqipërisë për financat personale të familjeve shqiptare, rezulton se shumë prej tyre janë pesimiste për vitin 2021 dhe presin përkeqësim të financave të tyre.

Paralelisht me stabilitetin ekonomik, Tirana si kryeqytet dhe qendër ekonomike e vendit, “vuan” edhe rritjet më të mëdha të çmimeve. Si p.sh rritja e çmimeve në tregun e pronave të paluajtshme, sidomos banesat. Një rritje prej 30%, nisur që nga viti 2015. Zonat periferike të Tiranës, njësoj si ato elitare kanë patur rritje të lartë.

Nga një raport i The Economist, pak javë më parë, çmimet e banesave në Tiranë janë rritur për shkak të parasë së pisët që vjen nga kokaina. Nga një publikim i fundit, Tirana është rritur me 11 vende në nivelin e kostos së jetesës nga viti 2020 në vitin 2021.

Nga të dhënat për gazetën “SI”, gjatë të gjithë vitit, përveç sezonit veror, çmimet e produkteve të konsumit, shërbimet dhe tregtia në qytete të Shqipërisë duke i krahasuar me Tiranën, janë në nivele më të ulëta. Të njëjtin produkt apo shërbim që e merr në Tiranë me një vlerë relativisht të pranueshme, nëpër rrethe mund ta marrësh 20-30% më pak.

Duke nisur nga shërbimet e bar-restoranteve, shërbimet estetike, mekanike etj. Drejtues të bizneseve thonë për “SI” se ky nivel çmimesh është shumë afër me atë të furnizimit fillestar.  “Ne i njohim njerëzit në vendet tona dhe mundësitë që kanë. Ata nuk duan të shpenzojnë më shumë dhe ne nuk duam t’i humbim ato”. Madje, ka produkte të ndryshme që shpeshherë nuk mund t’i gjesh, sidomos nëpër bizneset në periferi të qyteteve të tjera, veç Tiranës.

Me të gjitha të dhënat e mbledhura nga gazeta “SI”, dukshëm vihet re që rajoni verior është në një destabilitet ekonomik. Rajoni qendror me më shumë stabilitet dhe ai jugor në rrugë të mbarë. Një detaj jo-zyrtar që rrit më shumë diferencat veri-jug është se migrimi i banorëve në qytetet e jugut, shumë herë është në distanca jo shumë të largëta, pa dalë nga rajoni i tyre. Por në rajonin e veriut, migruesit drejtohen gjithmonë në qytetet qendrore ose shumë pranë kësaj.

Ndoshta sepse qytetet e të njëjtit rajon nuk ofrojnë mundësi ndryshe nga vendi që po lënë pas ose kërkojnë shumë më shumë, që mund të gjendet vetëm në kryeqytet apo përreth. – marrë nga GazetaSi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *