Cilat janë hapat drejt motivimit të vetvetes?

Motivation | Lexotani

Të gjithë jemi stresuar, mërzitur, ndoshta të gjëndur pa energji dhe të pamotivuar në këtë periudhë kohore. Kjo për shkak të pandemisë, situatë e cila ka ndyshuar në shumë mënyra jetën tonë. Periudha në të cilën po kalojmë na ka ofruar mundësi të reja mbi stilin tonë të jetesës. Ne kuptuam se mund të rrimë pa kafen e mëngjesit ndaj të cilës kishim krijuar një varësi. U detyruam të mos shoqërohemi me njerëz dhe të kuptojmë më thellësisht ngrohtësinë familjare. Mësuam gjithashtu të ndërtojmë një balancë midis punës dhe prioriteteve të tjera në jetë. Disa prej nesh edhe e shfrytëzuan për të qenë më shumë kreativë dhe për të ndërmarrë projekte të reja.
Gjithsesi, pyetja që shumë prej nesh has është se si mund të bashkëjetojmë me një armik të padukshëm dhe si mund ta motivojmë veten tonë për të mos rënë në pesimizëm dhe plogështi? Kjo pyetje do të trajtohet në disa sugjerime si mëposhtë;

  1. Stay hungry, por si?

Për ta jetuar jetën në tërësinë e saj dhe me motivimin e duhur, duhet të jemi të qartë në vetvete se përse zgjohemi në mëngjes? Na duhet diçka që të na mbajë të ‘përfshirë’. Fillimisht duhet të ndërtojmë një vizion rreth vetvetes, të asaj që dëshirojmë të jemi dhe më pas të fillojmë ta jetojmë sikur ajo të jetë bërë realitet. Ne nuk duhet të presim derisa të na vijë vizioni por duhet ta ndërtojmë atë në veprim e sipër.

  • Përqëndrohuni.

Shumica prej nesh e humbasin përqëndrimin në jetë, sepse shqetësohemi gjithmonë nga ndjenjat negative dhe frikërat e mundshme. Në vënd që të përqëndrohemi tek objektivat tona, ne shpërqëndrohemi nga shqetësimet dhe pasiguritë brenda nesh. Shpeshherë ndeshemi me një kaos mendor acarues, sepse përpiqemi të mëndojmë dhe të bëjmë shumë gjëra njëkohësisht. Por kur përqëndrohemi në atë që duam, atëhërë rruga e vizionit do të na paraqitet para nesh. Kur synimi ynë është të qënit një person i lumtur dhe i  motivuar, atëherë të tillë do të bëhemi. Mjafton ta rrethojmë veten me njerëz pozitiv si hap i parë drejt saj.

  • Ndizni dinamitin e dembelizmit.

Shumica e punëve të vështira duket sikur nuk mbarojnë kurrë. Thjesht mendimi i kryerjes së gjithë punës, shpeshherë është tepër i lodhshëm dhe nuk na motivon. Një mënyrë e mirë për të motivuar veten me lehtësi  është të sillemi sikur jemi përsoni më dembel në botë. Kur pranoni ta bëni detyrën ngadalë dhe me dembelizëm, nuk ju kap ankthi apo frika se duhet ta nisni. Përkundrazi edhe mund të zbaviteni. Paradoksi këtu është se sa më ngadalë ta nisni diçka, aq më shpejt do ta përfundoni. Do të habiteni se sa shpejt vetëdija juaj nuk do ta sforcojë veprimin dhe se si subkoshienca do t’ju furnizojë lehtësisht me energji. Merrni kohën tuaj, filloni me dembelizëm. Dinamiti jeton brenda nesh. Edhe nëse e ndezim ngadalë me një shkepëse, mund ta ndezim po aq mirë.

  • Dilni nga kafazi i shpirtit tuaj.

Sfidat sjellin zhvillim. Vetëm sfidat do t’i provojnë aftësitë tona dhe do të na përmirësojnë. Çdo sfidë me të cilën përballemi është një mundësi për të ndërtuar kapacitete dhe aftësi në shërbim të vetvetes dhe është në dorën tonë kërkimi i sfidave të cilat na motivojnë. Zonën e komfortit ku gjendet shumica prej nesh duhet ta përdorim për t’u çlodhur dhe jo për të jetuar. Duhet ta përdorim me vetëdije për t’u relaksuar dhe për të ripërtërirë energjinë tonë, teksa përgatitemi mendërisht për sfidën e rradhës. Nëse zonën e komfortit e përdorim për të jetuar përgjithmonë, ajo kthehet në ‘kafazin e shpirtit’ tonë.

  • Gjeni Ajnishtajnin e fshehur brenda jush.

Çdokush ka aftësinë për të qënë mjaftueshëm i aftë në një apo disa fusha të caktuara. Nuk është nevoja të jeni të mirë në matëmatikë apo fizikë që të mendoni në mënyrë gjeniale. Që të përdorni nivelin krijues të të menduarit të Ajnishtainit, ajo që duhet është të përdorini rregullisht imagjinatën. Njerëzit të cilët e përdorin imagjinatën e tyre për të krijuar, shpesh do të arrijnë gjëra që njerëzit të cilët shqetësohen nuk i ëndërrojnë kurrë. Ajnishtaini ka thënë se, “Imagjinata është më e rëndësishme sesa dija”. Ndërsa Napoleoni ka thënë, ”Imagjinata zotëron botën”. Përqëndrohuni tek aftësia juaj për të ëndërruar. Thjesht duke ndjekur ëndrrat tuaja, ju do të bëheni vërtet ai që dëshironi të jeni.

  • Bëjeni të sotmen një kryevepër.

“Bëje çdo ditë të jetës tënde një kryevepër”, jeta është tani, nuk është më vonë. Sa më shumë e hipnotizojmë veten për të menduar se kemi të gjithë kohën që na duhet për të bërë gjërat që duam, aq më shumë i kalojmë në gjumë mundësitë më të mira të jetës. Vetëmotivimi rrjedh nga rëndësia që i bashkangjisim të sotmes. Çelësi drejt ndryshimit vetjak qëndron në gadishmërinë tonë për të bërë gjëra shumë të vogla, por t’i bëjmë sot. Ndryshimi nuk është një lojë që ose bëhet ose nuk bëhet, por është një punë e vazhdueshme. Dita e sotme është një mikrokozmos i gjithë jetës tonë. Është e gjithë jeta jonë në miniaturë.

  • Filloni me objektiva të vogla.

Objektivat e karrierës, objektivat vjetorë, apo performanca mujore janë gjithmonë në mendjen e një personi me ambicie. Por shpeshherë këta njerëz nuk e marrim fare parasysh fuqinë e objektivave të vegjël, objektiva që vendosen gjatë ditës, që i japin energji asaj dhe një ndjesi që keni arritur shumë ‘fitore’ të vogla gjatë rrugës. Psh; brenda ditës së sotme do lexoj 20 faqe libër, apo do mbaroj një paragraf në zhvillimin e diplomës,etj,  Njerëzit të cilët fillojnë të vendosin objektiva të vegjël gjatë gjithë ditës raportojnë një nivel më të lartë vetëdije dhe energjie. Ata janë njerëzit më të lumtur sepse dita e tyre krijohet nga fuqia brenda mendjes së tyre, dhe jo nga fuqia e botës përrreth.

“Ta bësh të thjeshtën të ndërlikuar është diçka e zakonshme; por ta bësh të ndërlikuarën të thjeshtë, tmerrësisht të thjështë, ky është kreativitet”.  Charles Mingus

Ardit Kuqa, është i apasionuar pas edukimit dhe sipërmarrjes. Atij i pëlqen ta sfidojë veten me gjëra të reja. Arditi ka studiuar Marrëdhënie Ndërkombëtare, Studime Europiane dhe Inxhinjeri Biznesi. Punon si menaxher dhe drejtues projektesh në NGO të ndryshme në Paris, Francë. Ai është CEO i LexoTani dhe disa nismave të tjera.
Kontakto: [email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *