Çfarë janë implantet dentare dhe për çfarë shërbejnë ato?

Fff | Lexotani

Kohët e fundit, implantet dentare (dhëmbët me mbjellje) janë bërë shumë të përhapura dhe përdoren për qëllimi të ndryshme; qofshin ato shëndetësore apo thjesht estetike.

Çfarë janë implantet dentare?
Implantet janë një teknikë dentare që lejon zëvëndësimin e një dhëmbi natyral me një artificial. Ata janë të përbërë nga një vidë e veçantë e bërë nga “titani” i cili me anë të operacionit i cili kryhet në kushte ambulatore (në klinikë) futet në kockë për të zëvëndësuar rrënjën e dhëmbit që mungon. Në këtë mënyrë implanti bashkohet me kockën (osteointegrim) dhe pas rreth tre muajsh do të jetë në gjëndje të mbajë një kapsulë qeramike që do të riprodhojë përsosmërisht një dhëmb të vërtetë.
Në ditët e sotme, implanti mund të vendoset menjëherë pas heqjes së dhëmbit. Ky operacion ka kërkesa të mëdha nga pacientët sepse ata mund të përmirësojnë menjëherë buzëqeshjen dhe paraqitjen e tyre. Gjithashtu, është e mundur të vendosim disa implante në të njëjtën seancë vizite pa përjetuar ndonjë dhimbje. Nëse është e nevojshme ju mund të rindërtoni komplet gojën tuaj dhe në një kohë shumë të shkurtër do të keni dhëmbë të përsosur dhe estetik.
Implantet dentare mund të zëvëndësojnë një ose më shumë dhëmbë, deri në kompletimin e gjithë gojës dhe mbulon të gjitha funksionet e vetë dhëmbit, që nga përtypja dhe deri tek funksioni estetik.

Cilat janë avantazhet e implanteve?
Shkalla e suksesit të kësaj terapie është shumë e lartë, rreth 99.9% duke shmangur kështu ndikimin ndaj dhëmbëve të tjerë. Për këtë arsye implanti ndryshon nga ura, e cila, për zëvëndësimin e një dhëmbi shpeshherë kërkon “gërryerjen” e dy dhëmbëve të tjerë. Nga ana tjetër, implantet arrijnë stabilitet të përsorur dhe ndihmojnë në parandalimin ose frenimin e artrofinës së kockës (humbjen e kockës).
Avantazhi më i rëndësishëm i implanteve është kohëzgjatja. Kjo për arsye se implantet, në shumicën e rasteve janë zgjidhje përfundimtare dhe që zgjasin gjithë jetën.
Prandaj, implantologjia dentare mund të konsiderohet si një zgjidhje përfundimtare e pamjes estetike të gojës por dhe sigurisë shëndetësore.

Cilat janë fazat e proçedurës kirurgjikale?
Vendosja kirurgjikale e këtyre implanteve është e shpejtë dhe kryhet nën anestezinë lokale brenda pak minutash. Kjo proçedurë ndahet në disa hapa si:
Së pari, gingiva (mishi i dhëmbëve) në zonën përkatëse është e anestetizuar ku më pas bëhet një inçizion i vogël në këtë zonë për ta ndarë gingivën nga kocka dhe me një frezë të vogël inçidohet pjesa e jashtme e kockës.
Së dyti, pas formimit të vrimës së vogël, ajo zgjerohet aq sa lejon vendosjen e implantit ku më pas kocka hidratohet gjatë gjithë operacionit me fiziologjik për të parandaluar ngrohjen.
Së treti, implanti vendoset në vendin e sapokrijuar dhe një vidë prej titaniumi vidhoset tek implanti dentar për të ndihmuar gingivën gjatë shërimit dhe më pas aplikohen sutura për të mbyllur të gjithë fushën operatore.
Së fundmi, e gjithë kjo proçedurë zgjat vetëm pak minuta por kur puna të përfundojë , do të duhen rreth tre muaj për të lidhur në mënyrë të përhershme implantin me kockën. Pas 3 muajsh zhvidhoset vida prej titaniumi e lidhur me kockën dhe vendoset një tregues vendi, pastaj merret masa e pozicionit të implantit brenda në gojë dhe zgjidhet madhësia e dhëmbit të ri.

A është e dhimbshme kjo proçedurë?
Pavarësisht supozimeve të shumëta, ndërhyrja për vendosjen e implanteve nuk është aspak e dhimbshme. Për shumë profesionistë, ky është një operacion ditor i cili kryhet një një interval të shkurtër kohor. Vetëm mjeku kirurg oral ose oro-maksilofacial (OMF) janë kompentent për realizimin e kësaj proçedure të detajuar.

Arion Xhemali student i vitit të pestë dega stomatologji pranë Universitetit “Aldent”, së shpejti diplomohet në Master shkencor po në këtë fushë. Arioni është i angazhuar vazhdimisht me punime shkencore dhe në konferenca të ndryshme. Ai e shikon të ardhmen si një kirurg oro maksilo-facial.
Ai ka punuar për një periudhe kohore të konsiderueshme si asistent kirurg oral në ndërhyrje të shumta në aplikimin e implanteve dentare dhe ndërhyrjeve të tjera te kirurgjisë orale. Arioni aktualisht po merret me kërkim shkencor rreth temës: “Korelacioni mes bruksizmit dhe pacientëve me çrregullime mendore”.
Kontakto: [email protected]

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *