“Ballkani i Hapur” – marrëveshje kapitulluese para një armiku të egër – nga Erl Kodra

Hienat E Ballkanit | Lexotani

Çdo marrëveshje mund të jetë e mirë, me kusht që të mos jetë e keqe. Domethënë, nëse interesat e tua strategjike nuk dëmtohen, dhe në një prespektivë më të gjerë, përmes marrëveshjes mund të arrihet paqja afatgjatë dhe zhvillimi ekonomik. Marrëveshjet politiko-ekonomike mes shteteve gjithmonë synojnë më të mirën për vendet respektive. Për të arritur rezultate të qëndrueshme, marrëveshjet duhet të studiohen nga institute serioze të politikave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke bërë analiza gjeopolitike dhe ekonomike, si dhe duhet të evidentohen të gjitha rreziqet potenciale nga angazhime të tilla ndërkombëtare. 

Nga të gjitha përspektivat, Marrëveshja mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e pagëzuar sot si “Ballkani i Hapur” është një marrëveshje e keqe, më e keqja që mund të kishte arritur ndonjëherë Shqipëria. Arsyet e këtij pohimi janë të thjeshta, të qarta dhe lehtësisht të kuptueshme dhe të intepretueshme.

1. Shqipëria është i vetmi vend në botë që rrethohet nga popullsi shqiptare. Më shumë se gjysma e tokave shqiptare gjendet jashtë kufinjëve fizik të shtetit amë, çka i ka imponuar Shqipërisë detyrimin kushtetues që të mbrojë interesat e të gjithë kombit, pavarësisht kufinjëve. Mbrojtja e interesave nuk është një slogan propagandistik, por duhet të jetë angazhim konstant në studimin e të gjitha rrugëve dhe mjeteve politike për t’i evidentuar interesat kombëtare, për t’i promovuar ato diplomatikisht, për t’i adresuar ato në të gjitha takimet ndërkombëtare, veçanarisht përballë aleatëve strategjik.

2. Interesat e Shqipërisë nuk mund të jenë të ndryshme nga interesat e Kosovës, përkundrazi interesat e Shqipërisë janë të lidhura pazgjidhshmërisht me interesat e Kosovës. Në këtë kuptim – në kuptimin formal të dy shteteve shqiptare në Ballkan – aleati ynë i parë dhe i pazëvëndësueshëm strategjik është Kosova. Në të vërtetë, ekzistenca e Shqipërisë varet nga Kosova, dhe anasjelltas, ekzistenca e Kosovës varet nga Shqipëria. Shekulli i 20-të e ka provuar këtë aksiomë.

3. Kosova është tokë shqiptare, me mbi 95 % e banuar nga shqiptarë autokton, që u çlirua vetëm në vitin 1999 nga pushtimi shekullor serb, dhe që ka përjetuar disa fushata gjenocidiale. E fundit ishte “Operacioni Patkoi” i Sllobodan Millosheviç – që praktikisht e zbrazi Kosovën nga shqiptarët – por që falë shqiptarëve (UÇK-së), Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë, Kosova shpëtoi.

4. Serbia është një shtet armik, i deklaruar dhe i motivuar, me synime të qarta territoriale kundër Kosovës dhe kundër popullit shqiptar. Çdo akt shtetëror i Serbisë është i drejtuar kundër interesave tona kombëtare, jo vetëm në raportet e drejtëpërdrejta me Kosovën, por edhe në raportet e saj me vendet e rajonit dhe vendet e tjera të Europës. Kjo do të thotë se Serbia i përmbushë kushtet për t’u cilësuar si fuqia më e madhe armike e ekzistencës tonë si komb, që ka kryer akte gjenocidiale që prej fillimit të Shekullit të XX-të. Serbia ka edhe platforma politike për asgjësimin dhe zhdukjen e shqiptarëve në Ballkan.

5. Serbia nuk e ka ndalur për asnjë ditë luftën kundër interesave të Shqipërisë dhe Kosovës, në të gjitha rrafshet – në rrafshin politik, në rrafshin ekonomik dhe në rrafshin strategjik dhe ushtarak. Serbia është shteti më i militarizuar në Ballkan, që bashkëpunon hapur me dy fuqitë më armiqësore të perëndimit si Kina dhe Rusia. Bazat ushtarake të Serbisë janë fuqizuar me armë të prodhimit rus, sidomos flota ajrore e Serbisë.

6. Serbia ka synime të hapura territoriale kundër Kosovës – gjysmën e territoreve shqiptare – me qëllim aneksimin, pushtimin ose ndryshe shfrytëzimin e pasurive të saj. Ajo punon dhe vepron me akte të hapura dhe të fshehura kundër Kosovës dhe Shqipërisë, me qëllim dobsimin e faktorit shqiptar, dobsimin e asgjësimin e Pavarësisë së Kosovës. Veprimet e Serbisë klasifikohen si akte të qarta armiqësore, të rrezikshme për paqen dhe prosperitetin e Shqipërisë dhe Kosovës.

7. Kosova ka probleme serioze të pazgjidhura me Serbinë, ekzistenciale, që në çdo moment rrezikojnë ekzistencën e saj si shtet i pavarur, si dhe pjesë domethënëse të territorit të saj. Shteti i ri i Kosovës është i angazhuar në një proçes të vështirë bisedimesh për paqe me Serbinë dhe njohje reciproke, proçes ky që ka mbetur në vend vetëm për faje të shtetit serb dhe personalisht të Presidentit Aleksandër Vuçiç. Asnjë shenjë nuk tregon se Serbia do të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe se do të heqë dorë nga pretendime territoriale. Përkundrazi, çdo akt i saj është në dëm të paqes dhe stabilitetit. Kështu, Serbia është kthyer në rrezikun Numër 1 për Shqipërinë dhe Kosovën.

8. Në këto kushte – çdo marrëveshje Shqipërisë me Serbinë – është në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve. Kushtetuta e Republikës e përcakton detyrimin absolut të qeverisë shqiptare për të mbrojtur interesat kombëtare të popullit shqiptar. Jo vetëm anashkalimi i Kosovës, por dhënia e favoreve dhe konçensioneve shtetit armik serb – pa e kushtëzuar këtë me mbrotjen e interesave të Kosovës – lirisht mund të përkufizohet si tradhëti kombëtare. Përfitimi dhe avantazhet ekonomiko-politike të Serbisë nga kjo marrëveshje janë thelbësore dhe në dëm afatgjatë për sigurinë e shtetit të Kosovës dhe popullit shqiptar. Kjo marrëveshje e izolon Kosovën, e dëmton atë politikisht dhe diplomatikisht, duke i dhuruar avantazhe të pakuptimta një shteti armik si Serbia.

9. Këto janë arsye të mjaftueshme dhe të qenësishme që opinioni publik në Kosovë dhe Shqipëri të denoncojnë dhe dënojnë pa ekuivok Marrëveshjen e Ballkanit të Hapur, si një marrëveshje e dëmshme dhe e rrezikshme për sigurinë kombëtare të shqiptarëve. Opozita shqiptare duhet ta denoncojë atë, si dhe ta bllokojë miratimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë, por mbi të gjitha – ta padisë atë në Gjykatën Kushtetuese. Askush nuk e ka tagrin të vendosë për çështje të tilla, jetike për interesat kombëtare, për më tepër – dikush si Edi Rama – me pushtet të fituar përmes zgjedhjeve të blera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *