Albin Kurti refuzon sërish “Minishengenin” nga Prespa: Iniciativë pa vizion për rajonin

Albin Kurti | Lexotani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij në Samitin e Prespës doli kundër “minishengenit rajonal”. Kurti e cilësoi si një ide pa vizion për rajonin, duke ia atribuar Serbisë këtë projekt.

“Një pjesë e madhe e përgjegjësisë qëndron tek BE, por edhe ne duhet që t’i kryejmë detyrat e shtëpisë. Edhe ideja e Novi Sadit për ‘Mini Schengenin’, një iniciativë që nuk ka vizion për rajonin, dhe që Republika e Kosovës e kundërshton ashpër, si e tillë duhet të flaket tutje. Pakënaqësia me BE-në nuk duhet të instrumentalizohet nga vendet që nuk e duan NATO-në dhe që e favorizojnë Rusinë”, ka thënë ai.

Kurti nuk e fshehu zhgënjimin ndaj Bashkimit Evropian për mosliberalizimin e vizave me Kosovën. Kurti tha se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës.

“Republika e Kosovës e ndan zhgënjimin me vendimin e BE-së për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Si vend që na është mohuar liberalizimin i vizave e kuptojmë zhgënjimin tuaj. BE-ja është e ngadaltë, i mungon uniteti, por megjithatë është shpresa jonë më e mirë dhe alternativa e vetme që e kemi. Ne i takojmë këtij rajoni. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe jemi shtete fqinje të shteteve të BE-së”, ka thënë Kurti sot në Samitin e Prespës.

Kryeministri i Kosovës theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimore duhet të punojnë që të bëhen anëtarë të BE-së, ndërsa apeloi për pranimin e të vërtetës historike.

“Në vend që të vazhdojmë të ndihemi të frustruar me vendimet e BE-së, duhet ta pyesim veten se çfarë duhet të bëjmë ne për të arritur aty. Nëse shohim brenda nesh, shohim se kemi shumë probleme. Ekziston lufta me pushtete autoritare dhe kundër monopoleve kriminale dhe kundër thyerjes së shtetit të së drejtës, mospranimi i të vërtetës historike dhe aktrimi se mund të ndërtojmë shoqëri demokratike në mes të kombeve tona vetëm duke mohuar se çfarë ka ndodhur dhe duke u munduar që ta ndryshojmë realitetin”, deklaroi Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *