A janë mjekët kriminelë me bluza të bardha?-nga Mentor Kikia

Korrupsioni I Mjekeve | Lexotani

Arrestimi i dy mjekëve të spitalit të Traumës, pasi u morën para pacientëve që u plagosën nga një aksident tragjik në Velipojë, shkaktoi reagimin e kolegëve. “Mos i mbani në burg, mos i trajtoni si kriminelë” – ishte thirrja që mjekët i bënë organeve të drejtësisë, ndërsa protestuan para spitalit. Në fakt, si duhen trajtuar mjekët kur u marrin para pacientëve për ti shëruar? 

Çfarë ndryshimi ka një mjek që të detyron të paguash rryshfet për të të shëruar, nga një kryetar bashkie që merr para për t’ia dhënë tenderin dikujt në mënyrë të padrejtë? Çfarë ndryshimi ka ky mjek nga një gjykatës apo prokuror, që merr para për ti dhënë dikujt të drejtën që i takon? Çfarë ndryshimi ka ky mjek nga një zyrtar që zvarrit dikë me muaj për ti zgjidhur një problem, derisa ta detyrojë të paguajë rryshfet?

Asnjë ndryshim nuk kanë.

Të gjithë kërkojnë para, për të të dhënë atë që të takon. Të kërkojnë para për të bërë detyrën e tyre. Përse mjeku u dashka lënë i lirë e të tjerët duhen arrestuar? Përkundrazi, çekiçi i drejtësisë duhet të bjerë edhe më fort mbi këta njerëz, që profesionin human të mjekut e kanë shndërruar në matrapazllëk. Kështu u ngritën edhe kolegët e kardiokirurgut në QSUT, edhe pse e dinin se valvulat e zemrës që u vinte pacientëve, ua shiste nga 2000 Euro, edhe pse ishin pa pagesë.

Unë njoh shumë mjekë të mirë, kirugë, kardiologë, pediatër etj etj. Nuk dua ti fus kurrë në një kategori me këta që, ndërsa pacienti është duke dhënë shpirt, nuk e kapin me dorë pa u mbyllur pazari.

Jo, këta nuk janë mjekë!

Këta, edhe pse nuk vrasin me armë, janë një lloj krimineli dhe e meritojnë ndëshkimin e ligjit. Më shumë se kaq, këta kanë shkatërruar gjenë më të rëndësishme në mjeksi, marrëdhënien mjek-pacient. Falë këtyre matrapazëve, pacienti mjekun sot e shikon si vrasës me bluzë të bardhë. Po s’e pagove, ai të lë të vdesësh. Kjo nuk është e vërtetë, por falë këtyre njerëzve, ky është sot perceptimi i publikut për mjekët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *