Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të enjten një pretendim të jashtëzakonshëm, se UNESCO nuk ka bërë thirrje për ndërprerje të punës në Bypass-in e Gjirokasterit, duke shtuar se media që raportoi (Exit News) kishte abuzuar.
Gjatë një inspektimi të projektit në Gjirokaster, shoqëruar nga kryeministri, ajo deklaroi:
“Më vjen keq për të gjithë abuzimet që janë bërë në media në lidhje me komunikimin që kemi pasur me UNESCO. Ne kemi mbajtur komunikim me UNESCO që në fazat e hershme siç bëjmë për çdo projekt të tillë. Ne kemi pasur një komunikim prej tyre në qershor dhe ata nuk janë shprehur për të pezulluar punimet… ata duan të sjellin një mision monitorimi të ekspertëve siç ka ndodhur në shumë raste të tjera.”
Në rezolutën zyrtare të botuar në faqen e UNESCO-s, ku thuhet qartë se:
Që nga marsi 2021, “Shteti palë nuk dha asnjë informacion ose sqarim të mëtejshëm deri në përfundimin e këtij raporti të gjendjes së ruajtjes”.
Gjithashtu thuhet shprehimisht se:
“Rekomandohet që komiteti t’i kërkojë shtetit palë të ndalojë këtë projekt derisa një mision të vlerësojë ndikimin e tij … dhe të bëjë rekomandime.”
Në një tjetër paragraf të rezolutës shkruhet se komiteti i “kërkon urgjentisht shtetit palë të ndalojë ndërtimin e baypass-it, deri kur një mision i Monitorimit Reaktiv të jetë në gjendje të vizitojë vendin, për të vlerësuar nëse projekti ka shkaktuar ose do të shkaktojë ndonjë dëm në vlerat tij të jashtëzakonshme universale. ”
Këto janë fakte të padiskutueshme të botuara në draft raportin dhe rezolutën, botuar në faqen e UNESCO-s, dhe për të cilat Exit News, e cila ka raportuar vazhdimisht për zhvillimet, u njoftua nga një përfaqësuese e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.